Teoria e Relativitetit dhe Bozonet Higs

Shkenca - Ëndrra e Ajnshtajnit për teorinë e gjithçkahit (gjithë-përfshirëse) në prag të realizimit: me 17. 03. 2014, është publikuar detektimi i valëve gravitacionale që shënon zbulimin epokal kozmologjik.
Mendja njerëzore në vazhdimësinë e civilizimeve, ka mbështetur dijen dhe eksperiencën shkencore-teknologjike gjer në shekullin që e përjetojmë apo shekullin e teknologjisë informative dhe nanoteknologjisë në zhvillim. Në këtë mbi ndërtim kolosal që tani e quajmë shkencë moderne kanë marrë pjesë, me kontributet e tyre, shumë kolos shkencorë, por Albert Ajnshtajni me kontributet e tij, padyshim mbetet i pa krahasueshem.
Në këtë zhvillim shkencor të shumë gjeneracioneve të civilizimeve njerëzore, sidomos pas shekullit të 19-të e deri më sot, veçohen dy kahje të teorive shkencore: të botës së madhe (makro) që trajtohet me teorinë e relativitetit dhe botës së vogël apo mikroskopike që trajtohet me teorinë kuantike. Me anë të këtyre dy teorive zotërohen të gjitha (katër forcat) të cilat ekzistojnë në natyrë dhe të cilat qeverisin materien dhe universin. Përderisa forcat elektro-e dobët dhe elektro-e fortë manifestohen në brendësi të bërthamës së atomit, forcat elektromagnetike dhe gravitacionale sqarojnë dhe qeverisin universin dhe elementet e tij.
Ajnshtajni tërë moshën e pjekurisë dhe pleqërisë e shpenzoi në Amerikë, gjatë së cilës periudhë jetësore numri i zbulimeve bie në mënyrë drastike, përkundër ekspansionit apo të rritjes së famës së këtij gjeniu më të madh të të gjitha kohërave. Kjo, siç thotë ai, nuk ndodhi për shkak të rënies së intensitetit apo zellit të punës së tij hulumtuese, por detyra që ia shtroi vetit ishte tepër e madhe apo e rënd. Ai ia pat shtruar vetit qëllimin që të zbuloj teori të gjithçkahit (gjithëpërfshirëse), teorinë apo formulimin i cili do të sintetizonte të gjitha forcat e natyrës.
Ai ia kishte lakmi J. C. Maxëellit, i cili bëri unifikimin e fushës elektrike dhe magnetike në atë elektromagnetike, e cila është bazë e optikes dhe fotonikës moderne. Unifikimin e forcave në shkallë bërthamore e pat bërë Abdu-Selam, Nobelist nga Pakistani. Ndërkaq, unifikimin e katër forcave natyrore ishte një ëndërr, të cilën Ajnshatjni me tërë gjenualitetin e tij, nuk mundi ta realizonte. Por, kjo nuk e zvogëlon shkëlqimin e pakrahasueshëm të tij siç do të shihet në titullin vijues të këtij vështrimi. Përkundrazi, të gjithë studiuesit gjer më sot, ndonëse duke punuar tërë jetën në vetëm në njërën nga lëmitë apo zbulimet e tij, nuk munden me eksperimente apo teori të sfidojnë validitetin e pamohueshëm të zbulimeve teorike të Ajnshtajnit.
Teoria e përgjithshme e relativitetit ardhmëri e kozmologjisë moderne
Gjatë tërë moshës së pjekurisë dhe pleqërisë, siç shkruam, deri në ditët e fundit të jetës, Ajshtajni punonte pandërprerë tërë ditën në tavolinën e tij, për të bërë lidhmërinë e fushës apo forcës gravitacionale me tri forcat apo fushat tjera natyrore në një ekuacion, i cili do ti lidhte të gjitha, siç e lidhi energjinë dhe masën në ekuacionin E=mc (në katror). Kjo do të thotë unifikim i forcave që qeverisin universin me ato që qeverisin bërthamën dhe atomin apo mikro-botën, përkatësisht unifikimin e teorisë së relativitetit me atë kuantike.
Në vitin 1916 Ajnshtajni publikoi Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit (TPR). Është teori mjaft komplekse matematikore që shprehet me tenzore, detajet e së cilës është vështirë të kapen nga jo specialistët e lëmisë në fjalë, e lëre më nga publiku i gjerë. Por, esenca të TPR qëndron në faktin që hapësirë-koha trajtohet si një kontinum, i cili është i lakuar rreth yllit apo çdo trupi qiellor të universit. Në TPR Ajnshtajni kishte fut edhe një konstante, e cila në fakt do të jetë i vetmi sqarim i mundshëm në Kozmologjinë Moderne, mbi zgjerimin e Universit. Kjo është verifikuar eksperimentalisht në mënyrë spektroskopike me detektimin e rritjes të gjatësisë valore të dritës që jep quazari (burimi), i cili largohet në mënyrë të nxituar. Skenari i kundërt i zgjerimit të Universit çon te pikënisja apo Big-Bangu, e cila ngjarje ka ndodhur para 13. 8 bilionë vitesh.
Detektohen valët gravitacionale që pasojnë pas Big-Bengut: rritet zbardhja e mënyrës së lindjes së universit
Valët gravitacionale të cilat sqarojnë zgjerimin e Universit për herë të parë raportohet që u detektuan me 17. O3. 2014. John Kovac, shefi i grupit që operon me teleskopin BICEP2 i stacionuar në Polin e Jugut, në bashkëpunim me ekspertët e Universitetit të Harvardit raportojnë detektimin e valëve gravitacionale. Ky duhet të jetë një zbulim epokal meqë raportohen valët e formuara gati 14 bilionë vite më parë, në moment e fillimit të Universit, të cilat Ajnshtajni i parashihet në TPR një shekull më parë, por gjer tani shkencëtarët nuk arritën ti detektojnë.
Emri i teleskopit BICEP2 është akronim i fjalëve: Background Imaging of Cosmic Extragalactic Polarization (Imazhimi i polarizimit të bakgrandit extra-galaktike). Me detektimin e sinjalit, i cili regjistron polarizimin e makrovalëve, të valëve që quhen dritë e polarizuar nga Big-Bangu, indikohet manifestimi i valëve të gjeneruara, me anë të fluktuacionit kuantik, në një interval shumë më të shkurtër kohore: të triliontën pjesë të sekondit, pas Big-Bangut. Se detektimi i valëve në fjalë ishte jashtëzakonisht i vështirë mund të merrni me mend detektimin e gjilpërës në një zabel. Apo merrni me mend sipërfaqen e një liqeni, e cila nga larg duket plotësisht e qetë si pasqyrë, por në fakt aty manifestohen valëza apo gungëza të vogla që vështirë mund të shihen. Në detektorë apo teleskop ku duhet të detektoheshin valët gravitacionale me gjatësi valore shumëherë më të vogla se sa madhësia e një atomi, njëkohësisht arrijnë valët e dritës që vijnë nga burime të shumta ndërgalaktike, të cilat në fakt janë me biliona, në mes të burimit dhe detektorit. Këto valë drite janë me intensitet shumë shumëherë më të madh se sa valët gravitacionale në fjalë, që duhej të detektohen.
Dy faktorë janë relevant që mundësuan detektimin e valëve gravitacionale dhe zbulimin epokal që u paraqit të Hënën me 17. 03 2014. I pari është fakti që teknika ishte e sofistikuar, ku sinjali që fitohet është i bazuar në fenomenin e polarizimit dhe fakti që valët e detektuara janë të rritura (amplifikuara) për shkak të inflacionit. Inflacioni paraqitet automatikisht pas krijimit të valëve gravitacionale dhe se ky inflacion bëhet me shpejtësi edhe më të madhe se sa shpejtësia e dritës. Jemi koshient që Teoria Speciale e Relativitetit nuk lejon lëvizjen më të shpejtë se sa drita, por inflacioni në fjalë i kontinumit hapësirë kohë, bënë përjashtim- kryhet me shpejtësi më të madhe. Zbulimi i valëve gravitacionale mbështetë fuqishëm teorinë e inflacionit duke mundësuar të mësojmë se sa ishte sasia e energjisë së errët, e cila imponoi inflacionin në fjalë apo sqaron edhe zgjerimin e universit, i cili manifestohet në mënyrë të nxituar.
Fakti i dytë sqaron mundësinë e zgjerimit të universit, procesit që manifestohet në mënyrë të nxituar dhe i cili është i konfirmuar eksperimentalisht.
Energjia që i parapriu formimit të valëve gravitacionale me gjatësi valore në shkallë sub- atomike apo në nivel kuantik, ishte triliona herë më e madhe se sa HC e Cernit (energjia e kolizionit të hidroneve në Experimentin e Cernit) ku vërtetohet ekzistenca e Bozoneve Higgs, e cila ngjarje mundësoi Çmimin Nobel në Fizikë.
Përderisa Bozonet Higgs sqarojnë formimin e materies, detektimi i valëve gravitacionale të cilat i përkasin dimensioneve sub atomike, pra kuantike, të cilat sqarojnë inflacionin apo zgjerimin e Universit, mundësojnë lidhshmërinë e TPR-së të Ajnshtajnit me Teorinë kuantike. Kjo pra regjistron agimin e ëndrrës së Ajnshtajnit për formimin e teorisë së gjithçkahit. Ndaj edhe ky zbulim, sipas mendimit tim do të jetë edhe më i rëndësishëm se sa zbulimi i Bozoneve Higgs, nga se me këtë zbulim mund të sqarohet Big Bangu dhe formimi i Universit. Konstatimi i Lenajtres, i cili kur u vërtetua Big Bengu, thoshte që: “U zbulua e sotmja pa të djeshmen”, tani, nga data 17. Mars 2014, është i labilizuar.

0 comments:

Post a Comment